Menaxhimi i Parkut Kombetar Detar Karaburun Sazan

Zona e Mbrojtur Detare Karaburun – Sazan është modeluar duke patur zonën e Gadishullit të Karaburunit dhe Ishullit të Sazanit si elementin qëndror për mbrojtjen e natyrës dhe qytetin e Vlorës si elementin qëndror për zhvillim.

Ky mjedis detar karakterizohet prej një sërë ekosistemesh të shumëllojshme dhe një game të gjerë të specieve detare me rëndësi ekologjike dhe ekonomike. Gadishulli i Karaburunit gjendet në Shqipërinë e Mesme, përballë qytetit të Vlorës, dhe ndan ujërat e deteve Adriatik dhe Jon. Në 22 shkurt 1966 Gadishulli i Karaburunit (saktësisht zona e Llogorasë) u shpall rezervat natyror, por është prekur shumë nga zjarret, kullotja, gjuetia intensive dhe stërvitjet ushtarake.

 Statusi i mbrojtjes u riaktivizua në 1986 kur zona u shpall “Rezervat Natyror i Menaxhuar” Kategoria IV. Ajo përfshin Zonat Çlodhëse Natyrore (njëra ndër të cilat është në brendësi të Gadishullit të Karaburunit dhe Rrëzës së Kanalit), dy Zona Monumente Natyrore (në majë të gadishullit, tek Kepi i Gallovecit, në gjirin dhe shpellën e Gramës, plazhi i Gramës) si dhe praninë e koraligjenëve të veçantë, si për shembull tek “Gryka e Djallit”, një Zonë Buferike (Mali i Karaburunit, Ravena, Orikumi dhe zona që shtrihet deri në Dukat) si dhe dy Zona Argëtimi/Turistike (Bristani dhe pjesa e brendshme e Gadishullit të Karaburunit, brenda Gjirit të Vlorës). Në këtë njësi përfshihen edhe Parku Kombëtar i Llogarasë (kampi i pushimit, një rezervë strikte natyrore) dhe Mali i Çikës (Mbihipja e Çikes, një Zonë Monument Natyror).

 Bregu shkëmbor, me disa vende i përbërë nga shkëmbinj të rëndësishëm gëlqerorë, të mbuluar me bimësi Mesdhetare tipike, dhe në disa pjesë të veçanta përmban plazhe të vegjël me gur zalli e rërë, shpalos peizazhe të mrekullueshme dhe të rralla, të para në veçanti nga anija, kur vizitohen shpellat, kanionet e gjiret e vegjël, p.sh. shpella e Haxhi Alisë dhe ajo e Duk Gjonit. Peisazhi nënujor është gjithashtu i një cilësie të jashtëzakonshme, me faqe shkëmbore, shpella nënujore dhe me florën e faunën shoqëruese dhe në disa zona me mbetje arkeologjike. Padyshim, kjo zonë është pjesa më e mirë dhe më tërheqëse e bregdetit Shqiptar, sa i përket zhvillimit të aktiviteteve detare si zhytja nënujore, që nuk është shumë e zhvilluar në Shqipëri.

 Ishulli i Sazanit (16 km i gjatë dhe 3-5 km i gjerë), përballë Vlorës dhe në veri të Gadishullit të Karaburunit, ka një formë elipsoide të orientuar VVP-JJL dhe arrin kulmin me 345 m në Grykën e Djallit. Ishulli i Sazanit ndahet nga skaji verior i Gadishullit të Karaburunit përmes Ngushticës së Mezokanalit. Ky ishull është një Zonë Natyrore Çlodhëse/Turistike me faqe shkëmbore, peisazhe dhe zona zhytjeje të mrekullueshme. Në verën e vitit 2015 Ishulli i Sazanit u hap për vizita publike, si një relike e Luftës së Ftohtë dhe si një zonë natyrore. Laguna e Orikumit përfshin rreth 130 ha me thellësi maksimale prej 3 m dhe komunikon në mënyrë të përhershme me detin përmes një kanali 50 m të gjatë. Ajo ka një prurje të kufizuar të ujit të ëmbël nga jugu. Ajo gjendet në një zonë ushtarake me hyrje të kufizuar. Orikumi është një zonë arkeologjike e rëndësisë parësore.

  • Gjiri i Gramatës

    Gjiri i Gramatës ose siç thirret nga vendasit, gjiri i Gramës ndodhet rrëzë shpatit perëndimor te Karaburunit. Ne një zonë të pabanuar, ku mund të arrihet kryesisht nga deti, (rruga tokësore kalon në një terren malor), gjendet një plazh i vogël natyror, i cili është shfrytëzuar si gurore që nga Shek. IV P.K. Në falezat e thepisura janë gëdhendur mbishkrime të ndryshme nga ekuipazhet e anijeve që kanë kaluar aty. Mbishkrimet datojnë prej shek. III p.k deri në mesjetë.

  • Kisha e Marmiroit

    Kisha e Marmiroit është një objekt kulti i vetmuar, i ndërtuar mbi një kodër fare pranë bregut të lagunës. Është një kishë bizantine me kupolë, ndërtimi i së cilës datohet diku në shek. XII. Kishat me kupolë në formë kryqi janë tipike për komplekset manastirore dhe në fakt, rrënojat e një oxhaku, një dritareje dhe disa kamare lënë të kuptohet se aty dikur mund të ketë qënë një manastir. Në fund të bulevardit "Princesha Rugjinë" ndiqet rruga që të çon në rrëzë të kanalit. Deri ketu shkohet me makinë dhe më tej ecet në këmbë

  • Shpella e Haxhi Alisë

    Shpella e Haxhi Alisë është quajtur ndryshe shpella ilirike. Ka formën e një kubeje me gjatësi 30m, lartësi maksimale 18m, gjerësi 12m dhe arrin në 10m thellësi. Nga fundi i shpellës burojnë ujra të ëmbël. Thuhet se një luftëtar dhe detar i shquar Ulqinas i quajtur Haxhi Ali u strehua bashkë me të birin në këtë shpellë. Prej aty ata sulmonin piratët e detit dhe duke bashkëpunuar me barinjtë, mbronin tregtarët dhe udhëtarët që kalonin nga ato anë. Ndodhet në gadishullin e Karaburunit në afërsi të Kepit i Gjuhëzës. Mënyra më efikase për të vizituar në këtë vënd janë mjetet detare.

  • Kulla e Dervish Aliut

    Në fshatin Dukat ndodhet një kompleks ndërtimor me vlera të rëndësishme historike. I ndërtuar në fillim të shek. XIX ky kompleks mban emrin e Dervish Aliut, personazh i njohur si organizator i revoltave fshatare kundër reformave të Tanzimatit në Shqipëri gjatë viteve 1847-1848. Ndërtesa përfaqëson banesë të tipit Kullë me tipare mbrojtëse nga më të arrirat në të gjithë Shqipërinë e Jugut. Kulla ndodhet në lagjen Mazo, pranë qëndrës së fshatit Dukat.

  • Kalaja e Gjon Boracit

    Kalaja e Gjon Bocarit është një kala mesjetare, e lokalizuar pranë fshatit Tragjas. Është një fortifikim I shek të VX, i pajisur me dy kulla gjashtëkëndore të ndërtuara me blloqe gurësh. Në këtë kala Princesha e Kaninës dhe e Vlorës, Rugjina e Balshajve, pati rezistencën e fundit ndaj pushtuesve Osman në vitin 1417. Rreth 1km nga qendra e fshatit Tragjas merr rrugën djathtas dhe kjo rrugë të con në destinacion. Shkohet lehtësisht me automjet.

  • Ujesjellesi i Ferrunit

    Ujësjellësi i Ferrunit është një ndërtim karakteristik me bazament guri të ndërtuar nga mjeshtrat e fshatit Dukat në shekullin XIX rreth vitit 1888. Është i tipit me trase të hapur që mbështetet mbi tri harqe gjysmërrethore. ka një gjatësi prej 2 km dhe gjerësi 0.5 m. Harqet e këtij ujësjellësi janë të punuar me gure të lëmuar në formë pllake. Si mund të shkojmë: Në të djathtë te rrugws nacionale Orikum – Dukat kthehuni në rrugën “Ferrun” e cila të con në vendin e quajtur Përroi i Gjimarës. Mbasi mbërrin aty merr në të majtë rrugën që përshkron paralel me përroin. Rreth 500 metra më tej ndodhet Ujësjellësi i Ferrunit.

  • Parku Kombetar i Llogarase

    Parku kombëtar i Llogarasë gjendet në juglindje të qytetit të Orikumit dhe 37 km larg qytetit të Vlorës. Ai përmbledh një sipërfaqe prej 1,010 ha. Ajri i freskët e i shëndetshëm, pamja e mrekullueshme e drurëve halorë, fshati turistik dhe uji i ftohtë që burojnë nga brendësia e maleve i japin këtij parku vlerat e rëndësishme turistike e kombëtare. Nga të huaj e vendas cilësohet si një nga vendet më të bukura të Rivierës Shqiptare. Gjendet në rrugën nacionale që lidh Vlorën me Sarandën në Km 30. Kjo rrugë përshkon mes për mes Parkun dhe e ndan atë në dy pjesë.

  • Pisha Flamur

    Pisha Flamur është një monument I veçantë natyror që mbart vlera unikale për simbolikën që përfaqëson. Ka një moshë prej 100 vjetësh dhe është vepër e erërave të Jugut. Pisha flamur vazhdimisht ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve vendas e të huaj Pisha Flamur ndodhet në dalje të Parkut të Llogarasë në të djathtë të rrugës kryesore.

  • Tragjas i Vjeter

    Gjurmët e vendbanimit të lashtë janë gjetur në kodrën “Qyteza e Sofës”, pa lënë mënjanë edhe disa tuma Ilire që i takojnë periudhës së Bronzit. Rrënojat e disa ndërtimeve janë të shekullit IV-II p.e.s. Ky fshat në dokumentat e kohës përmendet me emrat Trages, Dargjat e Tregase. Ai bënte pjesë në qendrat e fortifikuara të Gjirit të Vlorës dhe në antikitet në njësinë administrative të Orikut. Fshati i Vjetër u popullua në shekullin XVI dhe ndodhet 7 km në perëndim të Tragjasit të sotëm.